AUV-i jep urdhëresë: Therja e Kurbaneve të bëhet vetëm në thertoret e licencuara
Written by Mentor Hajrizi on 26 Qershor, 2023
Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV), ka kërkuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës që therjen e kurbaneve ta bëjnë vetëm në thertoret e licencuara (të aprovuara).
Ndaj qytetarëve të besimit islam që nuk respektojnë urdhëresën, sipas AUV-it, do të merren masa ndëshkimore.
Kjo është urdhëresa e plotë e AUV-it:
Mos therni kurban jashtë thertoreve
Me rastin e festës se ‘’Kurban Bajrami’’ thërrasim të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të besimit Islam. Therja e Kurbaneve të bëhet vetëm në thertoret e licencuara/aprovuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të cilat janë nën mbikëqyrje të kontrolleve zyrtare të inspektorëve veterinarë. Kafsha e cila theret për konsum mbi të gjitha duhet të jetë e kontrolluar. Andaj në thertore kontrolli kryhet para therjes, gjatë procesit të therjes dhe pas therjes, ku vlerësohet gjendja shëndetësore e kafshës dhe pas procesit të therjes, mishi i nënshtrohet kontrollit veterinar për verifikimin e përshtatshmërisë si produkt ushqimor për konsum. Thertoret teknike, sanitare dhe higjienike posedojnë ambiente, temperatura dhe pajisje adekuate për therje të sigurta. Inkurajojmë të gjithë që të përdorin mjete adekuate gjatë tregtimit prej fermës, në thertore. Në të gjithë vendin janë mbi 50 objekte të aprovuara për therjen e kafshëve, të cilat kanë kapacitete të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e qytetarëve. Therja e kafshëve në hapësirat publike dhe çdo vend tjetër që nuk është i destinuar për këtë aktivitet është i ndaluar me ligj dhe ndaj secilit që shkel ligjin janë të papara masat ndëshkimore. Inspektoratet e nivelit qendror dhe atij lokal, së bashku me Policinë, do të mbikëqyrin respektimin e urdhëresave. Si shoqëri, kemi për obligim të mos krijojmë imazhe të prerjes-therjes së kafshëve në hapësira publike në mënyrë johumane dhe në kushte johigjienike.
Festoni sigurt dhe shëndetshëm!
/CFM/