Zëri dhe telat e çiftelisë së tij jehojnë kudo në botë
Written by Luljeta Krasniqi on 20 Qershor, 2023
SALI MANI (1945—2009)
Këngëtar, krijues, kompozitor e interpretues
Rapsodi Sali Mani lindi më 1945 në Koplik të Malësisë së Madhe. Që në moshë të re qe frymëzuar gjithherë në traditat kombëtare folklorike. Saliu filloi që me lahutë t’i përcillte këngët e kreshnikëve. Zëri i tij tërhoqi vëmendjen edhe të malësorëve të cilët e inkurajuan këngëtarin e ri që të ishte i pranishëm dhe shumë i kërkuar në dasma dhe në çdo aheng tjetër në gëzimet e tyre.
Sali Mani ishte këngëtar, autor dhe interpretues më çifteli i këngëve folklorike, ai i këndoi për disa dekada Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha viseve shqiptare.
Rapsodi nga Kopliku i Shqipërisë, emigroi më familjen e ngushtë, gruan, vajzën dhe dy djemtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku edhe u vendos në Miçigan, edhe gjatë viteve sa jetoi në Amerikë. Mbeti një rapsod, një njeri shumë aktiv dhe patriot që ia kushtoi kulturën, artin dhe këngën komunitetit shqiptar të Miçiganit dhe të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Amerikën e largët. U bë një ndër rapsodët më të dëgjuar në mbarë trojet shqiptare.
Duhet theksuar se ai nuk ishte thjesht rapsod i lindur dhe që mësoi të luante disa instrumente muzikore, por ishte një muzikant i edukuar, i cili krijonte, kompozonte dhe interpretonte.
Disa breza këngëtarësh jo vetëm e njohën Saliun, por mësuan nga përvoja e tij dhe shumë prej tyre interpretuan pjesë të krijimtarisë së tij në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe në vende të tjera shqiptare.
Zëri i tij karakteristik, dëgjohej nëpër të gjitha radiostacionet shqiptare. Me këngët e tij udhëhiqeshin programe muzikore, po ashtu edhe nëpër televizionet shtetërore dhe ato private, sepse këngët e Sali Manit ishin dhe mbeten të kërkuara nga aderuesit e melosit folklorik.
Mbi 100 këngë mbajnë autorsinë e tij, ku mjaft prej tyre tashmë kanë zënë vend në thesarin e krijimtarisë popullore shqiptare si, këngët: “Moj e mira nga Gjakova”, “Moj Kosovë mirë se të gjeta”, ” Moj e mira e bregut të Cemit”, “N’qendër t’fshatit një shtëpi”, e shumë të tjera.
Sali Mani ishte në krye të grupeve folklorike të Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe. Në të gjitha festivalet dhe grupet që ai i drejtonte fituan çmime dhe mbi të gjitha admirimin e publikut të gjerë shqiptar. Kënga e Sali Manit do t’i çonte peshë zemrat e bashkatdhetarëve në Kosovë, në Maqedoni, në Malësi dhe jashtë kufijve etnikë shqiptarë.
Ai bënte pjesë në ansamblet që përfaqësuan Shqipërinë në skenat ndërkombëtare. Zëri dhe telat e çiftelisë së tij, që nuk iu nda deri në frymën e fundit, do të jehonin në Gjermani, në Zvicër, në Francë, në Egjipt, në Amerikë e në vende të tjera të botës.
Për kontributin në kulturë dhe në art, atij iu dha titulli i lartë “Artist i Merituar”.
Rapsodi Sali Mani, për asnjë çast nuk iu nda skenës. Duke jetuar mes bashkatdhetarëve në Detroit, për më shumë se dhjetë vjet, Sali Mani organizoi dhe drejtoi veprimtari kulturore e koncerte, ku në përgjithësi përcillej malli dhe dashuria e thellë për Atdheun. Sali Mani duke punuar më çifteli dhe më laps në dorë i la pas vetit të botuara dy libra me titull: “Si ikën vitet” dhe ” Malli për malet”.
Përveç teksteve të këngëve, ai la mjaft poezi dhe vjersha rapsodike që dëshmojnë për vlerat e këtij këngëtari të madh gjithëkombëtar.
Sëmundja e papritur i ndërpreu ëndrrat e këtij rapsodi për veprimtari të reja. Ai u nda nga jeta me 29 dhjetor 2009, në Amerikë. Pas nderimeve në Detroit, trupi i tij i pajetë, u përcoll për në vendlindje në Malësinë e Madhe në fshatin Koplik. Aty u varros me nderime të larta atdhetare e njerëzore. Shpirti i tij do të pushojë i qetë aty, sepse artisti e këngëtari i vlerave dëshironte gjithnjë që eshtrat t’i preheshin pikërisht në atë vend.
Sali Mani është gjallë, sepse la pas një thesar të çmuar të kulturës dhe të këngës shqipe./Capital FM/