Abdixhiku: Duhet unitet nacional përballë sfidave me Serbinë
Written by Luljeta Krasniqi on 27 Shtator, 2023
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në takimin e përbashkët me presidenten Vjosa Osmani dhe drejtorin e AKI-së Petrit Ajeti, është informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit.
Po ashtu, në postimin e tij në facebook, ai shtoi se duhet unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia.
“Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e stresues i terroristëve.Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren.Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë.Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë”, ka shkruar Abdexhiku, përcjell, /CFM/.