N'sfond

Title

Artist


Nesër do të fillojë zvogëlimi i pjesëtarëve të policisë në veri

Shkruar nga më 3 Gusht, 2023

Nga nesër, e premte, fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25 për qind, në dhe përreth objekteve komunale në veri.

Këtë Policia e Kosovës e ka bërë të ditur përmes një komunikate për media pas një takimi punues që ka zhvilluar me EULEX-in dhe KFOR-in lidhur me vlerësimin e situatës së sigurisë pjesën veriore të vendit.

“Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë.

“Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri. Ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës”, bëhet e ditur tutje.

Ndryshe, policia ka konfirmuar rreth tri javë më parë se përfunduar tërheqja e 25 për qind e zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga objektet komunale në veri dhe zonat përreth tyre.

“Pas pranimit të vendimit të Qeverisë nga ana e Menaxhmentit të Policisë, i njëjti është dërguar në teren për ekzekutim. Vendimi i Qeverisë së Kosovës ka filluar të implementohet dje dhe ka përfunduar sot”, ka thënë për Telegrafin zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani. /CFM/


Mendimet e lexuesve

Përgjigje

Email adresa nuk publikohet. Hapsirat e domosdoshme *