Televizioneve ruse u ndalohet raportimi për sulmin me dron në Moskë
Shkruar nga Mentor Hajrizi më 24 Korrik, 2023
Autoritetet ruse i kanë ndaluar punonjësit e kanaleve televizive Russia-24 dhe Moscow-24 (pjesë e Kompanisë Shtetërore të Televizionit dhe Transmetuesit), si dhe RBC dhe disa kanaleve televizive rajonale, të transmetojnë sulmin me dron në Moskë, shkruan një portal i huaj.
Sipas një të intervistuari të kësaj media, këto kanale e kanë patur të ndaluar të pasqyrojnë këtë temë 15 minuta para transmetimit të lajmeve në orën 11, ndërsa lajmet e orës 10 kanë ende raporte për sulmin me dron, përcjell CAPITAL FM.
RBC-ja përgatiti një histori të detajuar për sulmin në Moskë, por nuk e transmetoi atë, tha një burim tjetër. Tema vazhdoi me komente të shkurtra nga Ministria e Mbrojtjes dhe kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin.
Sipas portalit të huaj, të njohur për redaksinë, kanalet rajonale kërkuan që tema e sulmeve me dron të mos transmetohet, por këto kufizime nuk vlejnë për rrjetet sociale.
Dy dronë goditën Moskën natën e 24 korrikut. Një nga dronët thuhet se u rrëzua pranë selisë së grupit të hakerëve GRU Fancy Bear.
Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse akuzoi “regjimin e Kievit” për një tentativë sulmi terrorist. Siç raporton RBC-Ukraine, sulmi me dron u organizua nga shërbimet e inteligjencës ukrainase. /CFM/