Current track

Title

Artist

Current show

Current show

Upcoming show


Refuzon dhunën si mjet, por ky subjekt politik po kërkon përgjegjësi politike për skandalin e publikuar të përgjimeve

Written by on 14 Korrik, 2023

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në një mbledhje të mbajtur sot ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike me theks të veçantë, siç thuhet, mbi skandalet e fundit të partisë në pushtet.

Në komunikatën e kësaj partie thuhet se Lidhja Demokratike e Kosovës dënon edhe njëherë pamjet e shëmtuara të dhunës në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe refuzon dhunën si mjet.

“LDK vlerëson se vëmendja duhet të kthehet në normalizimin e situatës në veri dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit. LDK kërkon përgjegjësi politike për skandalin e publikuar të përgjimeve ku pushteti dhe eksponentë të lartë të tij kanë komunikuar me kriminel që janë në listën e zezë të SHBA-ve dhe tendencat e tyre për ndërhyrje në procesin e drejtësisë si dhe përgjegjësi lidhur me arrestimet e njerëzve të pushtetit të dyshuar për korrupsion”, thuhet në komunikatë.

Më tej LDK thotë se “nga të gjitha skandalet e partisë në pushtet qytetarët janë harruar, prandaj është jetike që vëmendja e institucioneve të Kosovës të kthehet tek sfidat e tyre të përditshme”.

“LDK do të vazhdojë konsultimet me grupe të ndryshme shoqërore në kuadër të nismës drejt rrugës së re; në ndërtimin e masës kritike për ruajtjen e demokracisë, mendimin e lirë e orientimin euroatlantik, si projekt i pandryshueshëm i Republikës. Kosova duhet të kthehet në binarët e saj, prej ku pushteti populist e ka larguar duke e futur vendin në sanksione për tu zbrapsur pastaj në pikën që LDK ka insistuar në vazhdimësi”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Kritikat pas publikimit të disa përgjimeve ku ishte përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, rritën tensionet në seancën e Kuvendin e Kosovës më 13 korrik, që kulmuan me përleshje fizike.

Kusari-Lila ka pranuar se ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Në të kaluarën Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar vazhdimisht personat që kanë mbajtur kontakte me Radoiçiqin, që gjendet në listën e zezë amerikane, e kërkohet nga autoritetet gjyqësore të Kosovës.

Në seancën plenare paraditen e 13 korrikut, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, iu ndërpre fjalimi.

Ai po fliste për Radoiçiqin, dhe se si është tërhequr fletarrestimi ndaj tij në vitin 2021, disa ditë para se të formohej Qeveria e tij.

“Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në Serbi”, tha Kurti.

Më pas, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Mërgim Lushtaku, iu afrua foltores dhe e gjuajti me ujë Kurtin dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimin.

Në atë moment, në mbrojtje të të dyve doli ministri i Financave, Hekuran Murati, të cilin Lushtaku pastaj e shtyu fizikisht me duar. Bislimi goditi me shishen e tij me ujë deputetin Lushtaku, i cili më pas pati përplasje fizike edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. /CFM/


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *