Ballafaqimi me drejtësinë, garanci për parandalimin e veprimeve të dhunshme
Written by Mentor Hajrizi on 12 Qershor, 2023
Gjatë një takimi pune mes Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, si dhe presidentes Vjosa Osmani, është diskutuar mbi zhvillimet e fundit në veri dhe mbi hapat që pritet të ndërmerren në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë.
Presidentja Osmani u shpreh mirënjohëse ndaj ushtarëve të KFOR-it, por edhe vlerësoi lart bashkëpunimin me Gjermaninë. Sipas saj, ushtarët shërbyen me ndershmëri dhe treguan profesionalizëm të demonstruar në ballafaqim me grupet kriminale të dhunshme në veri të vendit.
Ballafaqimi me drejtësinë për grupet kriminale të mbështetura nga Serbia, që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe të EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët, është i domosdoshëm si garanci për të parandaluar përsëritjen e veprimeve të tilla të dhunshme.
Ajo gjithashtu tha se partneriteti mes tyre do të jetë i palëkundur, duke shprehur gjithnjë gatishmëri për ruajtjen e paqes, të sigurisë dhe të stabilitetit. /Radio 92.1 Capital FM/