SHËNOHET 50-VJETORI I ORGANIZATËS ÇLIRIMTARE, GRK–OMLK
Written by Mentor Hajrizi on 8 Qershor, 2023
Është shënuar sot 50-vjetori i themelimit të Grupit Revolucionar të Kosovës. Me këtë rast, në Institutin e Albanologjisë në Prishtinë u mbajt edhe një simpozium shkencor, me temën: “Rëndësia politike dhe historike e themelimit të Grupit Revolucionar të Kosovës (GRK) për çështjen e pazgjidhur shqiptare”.
Simpoziumin e hapi kryesuesi i Grupit Revolucionar të Kosovës, Mehmet Hajrizi. Ai theksoi se qëllimi parësor dhe i vetëm i GRK–OMLK-së qe çlirimi dhe ribashkimi i trojeve shqiptare.
Në Simpozium morën pjesë dhe me kumtesat e tyre enkas për këtë ngjarje u paraqitën veprimtarë të çështjes kombëtare dhe njohës të fushave të ndryshme, të cilët, posaçërisht, për brezat e rinj, sillnin rrëfenja dhe dëshmonin për rrethanat historike e politike dhe për rrugën e gjatë e me stërmundime të veprimtarëve revolucionarë deri tek arritja e lirisë, pavarësisht pengesave të mëdha të shpërfaqura tinëzisht nga agresori serb.
Kujtojmë se themelimi i Grupit Revolucionar të Kosovës 50 vjet më parë pati ndikim të jashtëzakonshëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, pasi kjo organizatë patriotike kishte nxjerrë gazetën e parë liridashëse e antipushtuese, “Zëri i Kosovës”, në trojet e pushtuara nga Jugoserbia. /Radio 92.1 Capital FM/