Current track

Title

Artist

Current show

Current show

Upcoming show


Analistët: Kurti përçau partitë shqiptare në Maqedoni të Veriut

Written by on 15 Gusht, 2023

Analistët në Kosovë vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, në mënyrën si u realizua, nuk po e shohin të dobishme për shqiptarët dhe çështjen e shqiptarëve në këtë shtet. Sipas tyre vizita e kryeministrit përçau edhe më tej partitë shqiptare në shtetin fqinj.

Më 11 gusht, kryeministri i Kosovës Albin Kurti mori pjesë në dy ngjarje në Çair dhe Tetovë, komuna të banuara me shumicë shqiptare.

Gjatë kësaj vizite, Kurti dhe kreu i Tetovës folën edhe mbi nevojën e hapjes së një tuneli me gjatësi prej rreth 6 kilometrash për lidhjen e Tetovës dhe Prizrenin.

Analisti Imer Mushkolaj në Debat Plus ka thënë se Albin Kurti nuk ka pasur nevojë të hedh benzinë në zjarr në Maqedoninë e Veriut kur vendi fqinjë vitin e ardhshëm pritet të futet në zgjedhje.

“Mua me duket absurde që kryeministri i Kosovës deri më tani ka bërë hapa breshke për të përmbyllur rrugët në Kosovë, e na flet për projektin 200 milionësh që lidh Tetovën me Prizrenin. Kurti duhet të na tregojë se cilat rrugë janë më prioritare. Kurti duhet të pyesë qytetarin e Pejës që udhëton për në Prishtinë”.

Mushkolaj thotë se Kurti bëri fushatë parazgjedhore në Maqedoni pasi atje vitin e ardhshëm ka zgjedhje.

“Është e qartë se Kurti në Maqedoni ka shkuar për të mbështetur forca tjera nga BDI që është në pushtet në Maqedoni. Kurti bëri gabimin e radhës ashtu siç bëri gabim kur ndërhyri edhe në Shqipëri duke marrë pjesë në zgjedhje. Vizita e tij nuk ishte shtetërore. Ai takoi vetëm kundërshtarët e Ali Ahmetit”.

Edhe analisti Dibran Hoxha thotë se vizita e Kurtit në Tetovë ishte e panevojshme dhe me qëllime politike.

“Vizita ishte pa kurrfarë kuptimi dhe kurrfarë sensi. Në atë vizitë nuk kishte asgjë protokollare. Kurti në atë vizitë do të duhej të përfaqësonte edhe shtetin e Kosovës pasi është burrështetas”.

Hoxha thotë se nuk e di cila është rëndësia strategjike e ndërtimit të rrugës Prizren-Tetovë.

“Për mua kjo rrugë është e parëndësishme”, ka deklaruar Hoxha.

Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se Albin Kurti thelloi më shumë përçarjen e partive politike shqiptare.

“Kurti me figurën e vet politike shkon në Maqedoni dhe iu tregon shqiptarëve kënd ta votojnë atje prej partive politike shqiptare duke thelluar edhe më tej përçarjen mes partive politike shqiptare. Kurti vizitën nuk e bëri për t’i shërbyer çështjes shqiptare por figurës së vet”.

Ymeri thotë se Kurti e sheh Ali Ahmetin si përkrahës i Edi Ramës dhe sipas tij “Kurti dëshiron të ketë më shumë përkrahës shqiptarë se Edi Rama”.

Ish-deputeti thotë se Kurti me këtë vizitë do të rrisë në Maqedoni sentimentin anti-shqiptar në këtë shtet.

Panelisti Lirim Mehmetaj thotë se Kurti në Maqedoni ndërhyri më shumë se në Shqipëri apo në Luginë të Preshevës kur emëroi këshilltare Ardita Sinanin.

“Kurti me përçarjen e shqiptarëve në Maqedoni do t’ia mundësojë VMRO-së që të formojë një qeveri me parti të vogël shqiptare. Duke përçarë shqiptarët Kurti po i ndihmon fashistët e VMRO-së”, tha ai.

Ndryshe, ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, ka ngritur të martën kallëzime penale kundër kryetarëve të Tetovës dhe Çairit, për, siç ka thënë, “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 11 gusht.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami dhe ai i Çairit, Visar Ganiu, janë marrë në pyetje të martën nga Policia maqedonase, e cila e ka bërë të ditur vendimin për kallëzimet penale./CFM/


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *