N'sfond

Title

Artist

Emisioni Tani

Emisioni Tani


Nagavci nuk jep ndonjë shpjegim rreth shpërndarjes së librave shkollorë, pretendon në anomali çmimesh

Shkruar nga më 15 Gusht, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka konfirmuar se viti i ri shkollor do të fillojë më 1 shtator.

Ministrja Nagavci ka thënë se tashmë kanë finalizuar kalendarin e vitit të ri shkollor 2023/24. Sipas saj, nxënësit do të kenë edhe pushim vjeshtor.

“Kemi finalizuar kalendarin vitit ri shkollor 2023/24. Sipas udhëzimit administrative, viti ri shkollor fillon më 1 shtator. Risi është se do të kemi edhe pushimi vjeshtor, në mënyrë që të kemi balancim mes ngarkesës së fëmijëve gjatë gjithë vitit të ri shkollor”, ka deklaruar Nagavci.

Ministrja  e Arsimit, Arbërie Nagavci ka folur për furnizimin e nxënësve të shkollave fillore me libra shkollorë nga Qeveria. Nagavci s’ka dhënë datë konkrete të shpërndarjes së tyre, duke thënë se po merren me cilësinë e tyre.

“Unë shpresoj që të arrijmë t’i furnizojmë me kohë, jemi duke e shqyrtuar mundësinë që të mos ketë vonesa që po krijohen nga arsye të ndryshme. Me aq sa jam njoftuar nga ekipi, kam parë anomali shumë të mëdha në çmime. Kam parë shuma të mëdha prej 13, 14 e 15 eurove, natyrisht si ministri kemi kujdes edhe për buxhetin e shtetit”, ka deklaruar Nagavci.

Ajo ka thënë se në fund të kësaj jave do ta mbajë një konferencë tjetër për media për të njoftuar se ku ka shkuar procesi.

Duke folur për ciklin parashkollor, Nagavci i ka bërë thirrje komunave që të paraqiten për nevojat e ndërtimit të çerdheve, e cila është nismë e ministrisë në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës arsimore.

“Kemi nënshkruar javën e kaluar kontratën për ndërtimin e një çerdheje në Fushë Kosovë dhe presim që javën e ardhshme të nisin punimet. Po ashtu, jemi në procedurë të nënshkrimit për ndërtimin e një çerdhe në Batllavë të Podujevës dhe në Shtime”, ka thënë ajo.

Nagavci ka thënë se ka nënshkruar udhëzimin administrativ për shndërrimin e klasave të bashkëngjitura në dhoma burimore për nxënësit me nevoja të veçanta.

“Përveç ndarjeve të buxhetit për punësimin e 400 asistentëve për nxënësit me nevoja të veçanta, me anë të udhëzimit administrativ plotësojmë infrastrukturën ligjore në mënyrë që të gjithë asistentët të kenë të qartë detyrat dhe kompetencat e tyre”, ka thënë ministrja Nagavci.

Ajo ka folur edhe për përzgjedhjen e dy rektorëve në dy institucione të arsimit të lartë, gjegjësisht Universitetin e Mitrovicës dhe Universitetin e Gjakovës. Për anulimin e konkursit të UM “Isa Boletini” ajo ka theksuar se kanë hasur në parregullsi. Nagavci fajësoi komisionin përzgjedhës se ka tentuar të marrë vendime duke favorizuar grupe të caktuara.

“Aty çka ka ndodh është që mbledhja për intervistimin e kandidatëve është bërë jo nga kryesuesi, as nga zëvendëskryesuesi, por është bërë veç nga anëtarët e zgjedhur nga senati, gjegjësisht nga vet Universiteti”, ka deklaruar ajo gjatë konferencës.

Ndërkaq, për konkursin në Universitetin e Gjakovës ajo ka thënë se kanë konkurruar dy kandidatë, njëri nga ta ish-rektori i këtij institucioni.

“Te konkursi i Gjakovës kanë qenë dy kandidatë, ish rektori i cili është shkarkuar për shkak të një varg të shkeljeve që janë identifikuar nga organet gjegjëse. Tjetri ka qenë një kandidat i cili me sa jam njoftuar nuk i ka përmbushur kërkesat formale të konkursit sepse s’i ka përcjellë të gjitha dokumentet e nevojshme”, ka thënë ajo.

Nagavci tutje ka njoftuar se nesër mbahen intervistat për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Gjakovës, teksa kësaj radhe garojnë 4 kandidatë./CFM/


Mendimet e lexuesve

Përgjigje

Email adresa nuk publikohet. Hapsirat e domosdoshme *