Këshilltari i Kurtit: Përgjimin e porositur për Mimozën nxori një shërbëtor interpretues
Shkruar nga Mentor Hajrizi më 12 Korrik, 2023
Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se audio-incizimet e fundit që e kanë përfshirë shefen e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, janë përgjime të porositura, me interpretim udhëzues nga një shërbëtor i devotshëm.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Zulfaj tha se në këtë pjesën e dytë të përgjimit, Kusari-Lila qartazi e tregon arsyen e takimit me Simiq, e që sipas tij, është në kuadër të mandatit dhe detyrës së saj si kryetare e Grupit Parlamentar të shumicës parlamentare.
“Gjatë tërë kohës Mimoza ja kujton qëllimin e takimit duke ja rikujtuar se duhet të fokusohet tek ligjet për seancën e ardhshme të Kuvendit”, u shpreh ai.
Sipas Zulfajt, takimi është jo publik por në objekt publik, me Simiq, jo me Radoiçiq, prandaj edhe s’kishte asnjë arsye Mimoza të angazhohej në një bisedë ku Simiq flet për Radoiçiq.
“Natyrisht, Simiq kishte shkuar tek Mimoza të fliste për Radoiçiq, që edhe ta incizonte por Mimoza ishte e interesuar për seancën e radhës të Kuvendit dhe ligjet që është gjëja më normale që duhet të bëjë një udhëheqëse e grupit parlamentar të shumicës parlamentare”, tha tutje.
Postimi i plotë i Zulfajt:
Përgjim i porositur, me interpretim udhëzues nga një shërbëtor i devotshëm
Në këtë pjesën e dytë të përgjimit të porositur i cili u publikua dje me interpretim udhëzues nga një shërbëtor i devotshëm, Mimoza qartazi e tregon arsyen e takimit me Simiq e që është në kuadër të mandatit dhe detyrës së saj si kryetare e grupit parlamentar të shumicës parlamentare.
Gjatë tërë kohës Mimoza ja kujton qëllimin e takimit duke ja rikujtuar se duhet të fokusohet tek ligjet për seancën e ardhshme të Kuvendit.
Takimi është jo publik por në objekt publik, me Simiq, jo me Radoiçiq, prandaj edhe s’kishte asnjë arsye Mimoza të angazhohej në një bisedë ku Simiq flet për Radoiçiq.
Natyrisht, Simiq kishte shkuar tek Mimoza të fliste për Radoiçiq, që edhe ta incizonte por Mimoza ishte e interesuar për seancën e radhës të Kuvendit dhe ligjet që është gjëja më normale që duhet të bëjë një udhëheqëse e grupit parlamentar të shumicës parlamentare.
Çfarë ka bërë gabim Mimoza?
Që ka folur me Listën Serbe e cila i ka 10 deputetë në kuvend?
Përfaqësuesit nga komuniteti Serb nuk i zgjedh Mimoza. Mimoza e ka në mandat që të bisedojë me ata përfaqësues të cilët bëhen pjesë e Kuvendit të Republikës.Shërbëtorit interpretues nuk i konvenon të nxjerrë materialin që ka pa e interpretuar sepse ashtu ai material ska vlerë. Ashtu secili mund ta gjykonte përgjimin sipas kuptimit, interpretimit e mendimit të tij/saj.
JOOOO. Shërbëtori dëshiron që ai material që atij i është besuar të kuptohet nga të gjithë siç e kupton ai dhe siç pret porositësi, prandaj edhe ne 3 minuta përgjim ai bën gati 30 minuta interpretim/udhëzim.
Në fund të fundit duhet të ketë një arsye të fortë se përse bash atij ja besuan këtë punë.
Në Kosovë ka shumë media, por një përgjim i porositur nga Radoiçiq nuk mund ti besohej kujtdo, madje as mediave ne veri te vendit, sepse zoti na ruajt dikush tjetër do ta nxjerrte pa interpretim/udhëzim e ashtu do humbej mundësia për të goditur qeverinë.
Dhe mirë bën mediat tjera që nuk ia morën këtë mundësi. Radoiçiqin dhe gjithçka që lidhet me guethyesit e tij duhet të ja besojmë atij që e njeh atë më së miri.
Por, a thu nga e mori shërbëtori këtë material?
Çfarë pyetje idiote bëj edhe unë.
/CFM/