Arrestohet ekstremisti serb që pretendohet t’i ketë sulmuar gazetarët
Written by Mentor Hajrizi on 16 Qershor, 2023
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur emrin e të dyshuarit për sulme ndaj gazetarëve në veri të Kosovës. Sipas tij, ekstremisti serb Nemanja Vllaskovic është ai që do të merret në pyetje si i dyshuar për sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës.
Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të njësiteve policore, është arritur të identifikohet një person i dyshuar i cili me datë 29 maj 2023 në Leposaviq, kishte sulmuar gazetarët e disa mediumeve. Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar (mashkull serb), i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Leposaviq dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, kishte njoftuar PK-ja.
E cila më tej shtonte se,
Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave të saja ligjore dhe kushtetuese, për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin.
Ministri Sveçla përgëzoi Policinë e Kosovës për përkushtimin në arrestimin e sulmuesit.
Një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq me datë 29 maj, sapo është arrestuar. Nemanja Vllaskovic do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë. Të gjithë sulmuesit dhe kriminelët do të sillen para drejtësisë, kjo nuk ka alternativë. Përgëzoj Policinë e Kosovës për punën në hetimin dhe arrestimin e sulmuesit e gazetarëve. Vazhdojmë, të përkushtuar, për drejtësi e pa kompromis kundër milicisë fashiste.
Nemanja Vllaskovic
Personi i dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve më 29 maj 2023, është arrestuar pas punës me vigjilencë nga Policia e Kosovës. /Radio 92.1 Capital FM/