Gazetarja Dorentina Thaqi sulmohet me gurë në kokë
Shkruar nga Mentor Hajrizi më 16 Qershor, 2023
Sulmi ndaj gazetarëve në veri të Kosovës ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme. Gazetarja Dorentina Thaqi dhe disa kameramanë janë të sulmuarit e radhës.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënon ashpër sulmet e ekstremistëve serbë dhe kërkon që ata të dalin para drejtësisë.
Ky është reagimi i plotë i AGK-së:
Gazetarja e RTV Dukagjinit, Dorentina Thaqi sulmohet me gurë në kokë
Gazetaren Dorentina Thaqi, protestuesit të cilët i kanë sulmuar edhe kameramanët e RTK-së dhe TëVë1-në, e kanë qëlluar me gurë në kokë, ndërsa e kanë gjuajtur edhe me shok-bombë.
Ky është sulmi i 28-të në drejtim të ekipeve të mediave, gjatë tensioneve të fundit në veri të vendit, ndërsa sulmi i katërt vetëm gjatë ditës së sotme në Leposaviq.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon që urgjentisht të sillen para drejtësisë protestuesit, ndërsa u bën thirrje ruajtësve të rendit dhe paqes, Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it dhe KFOR-it, që të krijojnë kushte të favorshme për raportim, në këto kohë të ndjeshme, shkruan AGK-ja. /Radio 92.1 Capital FM/