ZKA: Pacientët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë
Written by Mentor Hajrizi on 29 Gusht, 2023
Zyra Kombëtare e Auditimit, në bazë të hulumtimeve të fundit për punën e Fondit për Sigurime Shëndetësore, identifikoi se nuk ka pasur trajtim të barabartë të pacientëve. Përveç problemeve financiare, ky institucion ka prioritetizuar shpesh pacientët sëmundjet e të cilëve nuk përkojnë me arsyet e themelimit të Fondit.
Këto gjetje janë e raportit të auditimit të performancës “Efektiviteti i Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore” për periudhën 2019-2022.
“Rezultatet e auditimit tregojnë se pacientët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë që nga procesi i aplikimit e deri te aprovimi i kërkesave. FSSH-ja përdori praktika të ndryshme në vlerësimin dhe trajtimin e lëndëve që nga aplikimi i kritereve të ndryshme për rastet e njëjta e deri te shuma e aprovuar për trajtim”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas raportit, aprovimi i lëndëve dhe pagesave është përcjellë me vonesa, obligimet financiare nuk ishin menaxhuar dhe raportuar në mënyrë të duhur si dhe Fondi nuk kishte bërë të gjitha barazimet financiare me institucionet shëndetësore në të cilat janë parapaguar shërbimet.
“Pavarësisht se Programi është i destinuar të financojë trajtimin e pacientëve me diagnoza, sëmundjet e të cilave nuk trajtohen në Institucionet Shëndetësore Publike të Kosovës, Komisionet Konziliare në reparte të caktuara kishin referuar kërkesa për shërbimet që ofrohen brenda këtyre institucioneve me arsyetimet për mungesë të materialit, kushteve teknike dhe resurseve njerëzore. Për këto raste shuma e referuar dhe aprovuar nga mostrat e testuara ishte 844,779 euro”, thuhet tutje në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se Fondi Shëndetësor ka pasur fatura që nuk janë paguar që nga 2018. Madje sipas tyre, nga 12 milionë euro të aprovuara për rastet e rregullta, komisioni kishte arritur të barazojë vetëm 2,1 milionë apo 16,4% si dhe kishte identifikuar mbi 408 mijë euro mjete të lira.
“Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca deklaroi se trajtimi jo i barabartë i pacientëve, ndryshimet e paarsyetuara të kritereve dhe shumave të aprovuara për trajtim, vonesat në aprovim dhe pagesë, si dhe mos menaxhimi i duhur i obligimeve financiare, rrezikon që Programi të mos arrijë objektivat për të cilat është themeluar”, njofton tutje ZKA. /CFM/