Reagon Muharremaj, për arrestimin e dy zyrtarëve të Suharekës: S’ka shanse të jenë as 74 mijë e as 700 apo 7 euro
Written by Mentor Hajrizi on 22 Gusht, 2023
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka folur për arrestimin e Enver Shabanit, drejtor i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashit, zyrtar i kësaj komune, duke thënë se beson që nuk ka shanse t’i jetë shkaktuar dëm 74 mijë euro komunës me të cilën ai udhëheq, madje as 7 euro.
Muharremaj tha se nuk ka asnjë lajm zyrtar për këtë çështje, por vetëm është informuar nga mediet.
“Njëherë më së pari, qysh jeni informu ju jam informuar edhe unë, përmes portaleve dhe gazetave. Nuk kam asnjë lajm zyrtar edhe unë si kryetar i Komunë as 74 mijë euro, as 700 euro, as 70 euro nuk janë dëm të Komunës, kaq di me ju thanë. Edhe njëherë po them, nuk ka shancë as 74 mijë, as 7 mijë, as 700, as 7 euro, kaq”, tha Muharremaj, për “Betimi për Drejtësi”.
Muharremaj tha se janë të hapur të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë dhe se në rast se dy zyrtarët kanë keqpërdorur detyrën, do të ballafaqohen me veprimet e tyre.
“E në qoftë se është hangër pitja, tepsia është aty. Ky është mendimi jem si kryetar i Komunës. Ne zbatojmë ligjet që janë në fuqi, këto janë organet e shtetit të Republikës së Kosovës, jemi të hapur me ta 24 orë, e kemi obligim dhe vazhdojmë me punu. Ata janë kanë dyshues, por unë po them që nuk ka shanse”, shtoi kryetari.
Ndryshe, në aktvendimin për fillimin e hetimeve ndaj dy zyrtarëve të lartpërmendur, të cilin Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda e ka marrë ndaj Shabanit dhe Kabashit, thuhet se të njëjtit prej 18 majit 2022 deri më 12 dhjetor 2022, në Suharekë në cilësi të personave zyrtarë dhe atë Berat Kabashi në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe Enver Shabani në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete dhe për personat tjerë, të njëjtit me dashje shkelin Ligjin e Prokurimit Publik.
Sipas vendimit, Shabani dhe Kabashi me dashje nuk kanë kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuar me ligj, në atë mënyrë që me vendimin 01-Nr.016-29186 të datës 18 maj 2022 të lëshuar nga Kryetari i Komunës së Suharekës, caktohen në menaxhimin e kontratës me titull “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia-me segment”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania” në fshatin Mushtisht”, mirëpo nga informatat e siguruara dhe verifikimit të të njëjtave është konstatuar se të hollat janë paguar për operatorin ekonomik, mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihet në kontratë.
Për këto veprime, në vendim thuhet se të njëjtit Komunës së Suharekës, i kanë shkaktuar dëm në shumën prej 74 mijë e 214 euro e 74 centë.
Me këtë, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.3, nënpar.3.1 dhe 3.2 lidhur me par. 2 dhe 1. lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/CFM/