Rifillon procesi i aplikimit për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë
Written by Mentor Hajrizi on 11 Gusht, 2023
Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës njofton ka njoftuar se ka rifilluar procesi i aplikimit për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se afati për të parashtruar kërkesën për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, për realizimin e të drejtave në pensione dhe benificione të përcaktuara sipas këtij ligji për viktima të dhunës seksuale gjatë luftës është deri më 15 maj 2025.
“Komisioni Qeveritar fton të gjithë personat e mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës të shfrytëzojnë të drejtën ligjore për aplikim, duke shprehur përkushtimin më të lartë për të vazhduar punën e palodhshme në procesin e njohjes së statusit të tyre”, thuhet në postim.
Deklarata e plotë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës:
Deklaratë për media
Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës njofton gjithë opinionin publik se pas dekretimit nga Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu të Ligjit Nr. 08/L-219 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-172 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, ka rifilluar procesi i aplikimit për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.Afati për të parashtruar kërkesën për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, për realizimin e të drejtave në pensione dhe benificione të përcaktuara sipas këtij ligji për viktima të dhunës seksuale gjatë luftës është deri më 15 maj 2025.Komisioni Qeveritar fton të gjithë personat e mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës të shfrytëzojnë të drejtën ligjore për aplikim, duke shprehur përkushtimin më të lartë për të vazhduar punën e palodhshme në procesin e njohjes së statusit të tyre.Komisioni Qeveritar ndër vite ka bërë të pamundurën që të mbështesë të mbijetuarat/it duke i trajtuar me dinjitetin më të lartë që meritojnë dhe presin nga institucionet e Republikës së Kosovës.Për rikujtim Komisioni siguron konfidencialitet gjatë shqyrtimit dhe vendosjes për rastet që aplikojnë për njohjen e statusit viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.
Komisioni Qeveritar do të vazhdoj punën e tij në ngritjen e ndërgjegjësimit për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe për praktikat e tij që tashmë janë njohur si shembull pozitiv ndërkombëtarisht. /CFM/