Rozeta Hajdari flet për rastin e Klan Kosovës, gazetarët ia bojkotojnë konferencën
Written by Mentor Hajrizi on 1 Gusht, 2023
Mediat kanë bojkotuar konferencën e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, sapo ajo ka filluar të flasë për rastin e Klan Kosovës.
Ekipet e gazetarëve dhe kameramanëve filluan të largohen nga konferenca në momentin që ministrja u deklarua për rastin në fjalë.
Megjithatë, ministrja u shpreh se i kupton shqetësimet lidhur me pezullimin e certifikatës së këtij mediumi.
Hajdari ka thënë se pezullimi i certifikatës së mediumin Klan Kosova nuk ka për qëllim kufizimin e fjalës së lirë, por zbatimin e ligjit.
Hajdari në konferencë për media tha se pretendimet që MINT ka vepruar qëllimshëm t’i kufizojë mediat, janë të pavërteta.
“Pezullimi nuk kishte për qëllim ta kufizojë fjalën e lirë, lirinë e shprehjes dhe veprimtarinë e mediave në vendin tonë, por vetëm të zbatojë kërkesat legjitime të kushtetues dhe ligjeve të Kosovës. Qëllimi i vetëm është zbatimi i ligjit, as më pak as më shumë”, është shprehur ajo.
Tutje, ajo tha se MINT është e përkushtuar ndaj zbatimit të ligjeve.
“Pretendimet që MINT ka vepruar qëllimshëm t’i kufizojë mediat janë tendencioze dhe të pavërteta. MINT është e përkushtuar ndaj zbatimit të ligjeve të Kosovës, pa kompromis. Rasti i Klan Kosovës dhe rastet tjera kanë të bëjnë ekskluzivisht me çështje administrative të regjistrimit”.
Ndryshe, të hënën Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, kanë protestuar me moton “Demokracia vdes në errësirë”.
Protesta ishte organizuar në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. /CFM/