60 vjet kontribut për folklorin shqiptar
Written by Mentor Hajrizi on 25 Korrik, 2023
Ndonëse i vinte ndoresh dhe një jetë të tërë ia kushtoi folklorit shqiptar, personeli i radios Capital FM, ekskluzivisht, ka përgatitur radioreportazhin dokumentar “60 vjet kontribut për folklorin shqiptar”, tekstin e të cilit po e sjellim në vijim.
I mbrujtur, gjithnjë e më shumë me vlera të shquara ideore e artistike, Shaban Baksi, rapsod e kontribuues në vijimësi, i artit, i kulturës dhe i traditës, 60 vjet i shkriu në skenën muzikore. Ca copëza prej jetës dhe prej krijimtarisë së tij, në shenjë nderimi për të, do t’i mishërojmë këtej e tutje. Radioreportazhin, siç raporton Capital FM, së shpejti do ta keni mundësinë ta gjeni edhe në mënyrë audiovizuele.
Shaban Baksi, binjak i së motrës Nurije, lindi më 26 korrik 1950 në fshatin Baks të Skenderajt, nga babai Selman Shabani dhe nga nëna Sela Halimi me prejardhje nga fshati Mikushnicë. Që në fëmijëri, atij, i ishte ndezur dëshira për artin muzikor. Me interesim të vazhdueshëm përcillte çdo këngë që interpretohej nga të rriturit. Madje, duke parë gjithë këtë interesim të tijin, mësimdhënësit e shkollës fillore në Çirez, nxënësin e klasës së katërt, filluan ta angazhonin në programet shkollore që organizoheshin me rastin e festave të ndryshme. Mësimdhënësi i edukatës muzikore, tashmë i ndjerë, Ali Asllani, posaçërisht, e shtyu këngëtarin popullor të merrej me muzikën e mirëfilltë shqipe.
Pas mbarimit të shkollës fillore, më 1965, vazhdoi shkollën normale në Prizren. Profesor të muzikës e kishte Xheladin Kastratin, i cili pati ndikim mjaft të madh që ai të vazhdonte ta kultivonte muzikën folklorike dhe popullore. Në vitin 1972, Shaban Baksi, erdhi në Prishtinë. Aty inkuadrohet në Shoqërinë Kulturore–Artistike “Ramiz Sadiku”, me të cilën edhe mori pjesë në shumë koncerte dhe festivale muzikore.
Rapsodi Shaban Baksi, nga dita në ditë, u bë më i njohur me zërin e tij melodik dhe u shqua sidomos për interpretim të jashtëzakonshëm. Atëbotë, Shabanin, dëshironte ta kishte në mes çdo shoqëri muzikore.
Më vonë, më 1974, Shaban Baksi, inkuadrohet në Shoqërinë Kulturore–Artistike “Kosova” të Prishtinës, me ç’rast u zgjodh edhe udhëheqës i seksionit të folklorit. Pos kësaj Shoqërie, Shabani mori pjesë edhe në shoqëri të tjera kulturore e artistike, si: “Shotë Galica” të Gllogocit, tanimë i njohur si qyteti i Drenasit, në Ansamblin Shtetëror “Shota” të Prishtinës dhe në Shoqërinë Kulturore–Artistike “Hasan Prishtina” të Bardhoshit. Ai mori pjesë gjithashtu në Ansamblin Folklorik “Azem Bejta” të Prishtinës, në “Akordet e Kosovës”. Ishte, ndër të tjerash, këngëtar i muzikës popullore me orkestrën e Radio Prishtinës, nën drejtimin e të ndjerit Isak Muçolli, ku bëri incizime dhe la shumë këngë popullore e folklorike në diskografinë e Radiotelevizionit të Prishtinës.
Në vitin 1975, po ashtu, inkuadrohet në Radio Prishtinë në programin e dytë, fillimisht në programin e lajmeve e më pastaj në programin muzikor, ku redaktor të programit e kishte kompozitorin e njohur, Akil Koci. Puna në këtë radio ia mundësoi që me orkestrinën muzikore të saj të merrte pjesë si solist i këngëve popullore.
Këngët që Shabani i incizoi në Radio Prishtinë dhe në Televizionin e Prishtinës, u mirëpritën nga dashamirët e muzikës. Këngët e tij kishin bërë jehonë, kërkoheshin gjithandej në diskoteka, në radiostacione e në shtëpi televizive. Kaluan për transmetim, pra, edhe në valët e radiostacioneve të tjera, në vend dhe jashtë, kudo që dëgjohej fjala shqipe. Ndikim në formimin e tij patën dy këngëtarët dhe krijuesit e denjë të folklorit dhe të këngës popullore, Qamili i Vogël dhe Hashim Shala. Shpeshherë, mbasi njihet për një interpretim identik me dy këngëtarët, dëgjuesit mendojnë se janë duke e dëgjuar zërin e Hashim Shalës – në këngët folklorike dhe Qamilin e Vogël – në këngët popullore.
Asnjëherë nuk pushonte së kënduari dhe së krijuari tekste këngësh e melodish të reja. U këndoi trimave të Drenicës dhe viseve të tjera shqiptare. Disa prej këngëve i incizoi në Radiotelevizionin e Prishtinës, nën drejtimin e instrumentistit Shaqir Hoti.
Shaban Baksi, anëtar i artistëve dhe i estradës së Kosovës, vazhdimisht merrte pjesë në koncertet e shumta që organizonte “Estrada muzikore e Kosovës”, nëpër shumë shtete të Evropës e të kontinenteve të tjera të botës. Në vitin 1982, për herë të parë, ftohet dhe shkon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me një mjeshtëri të rrallë, ka shndërruar në këngë luftën e popullit heroik shqiptar nëpër breza. U këndoi Dëshmorëve të Lirisë, Martirëve të Luftërave të Kosovës dhe të gjithë Shqipërisë.
Këndoi me shumë rapsodë–këngëtarë. Së pari këndoi me Hashim Shalën, pastaj bashkëpunoi me shumë të tjerë, në mesin e të cilëve, radhiteshin: Qamili i Vogël, Tahir Drenica, Veli Shala, Demir Krasniqi, Kosum Kadriu, Ymer Emini, Zejnullah Bajrami, Rizah Spanca, Riza Bytyqi, Nijazi Gashi dhe Shefki Salihu – Sheki. Këngëtari Shaban Baksi është themelues, kryetar dhe udhëheqës artistik i Shoqërisë Kulturore–Artistike “Qamili i Vogël” në Prishtinë, ku prej vitit 2003, në gjirin e saj tuboi shumë nga rapsodët dhe nga këngëtarët e melosit popullor.
Në çdo kohë punoi pareshtur dhe duke e ruajtur e duke e kultivuar muzikën e mirëfilltë shqipe, me qëllimin e vetëm që ta përcillte atë nëpër breza e breza. Kontributi i rapsodit nuk është vetëm në këndim, ai shkon përtej. Është autor i 483 këngëve dhe i 27-të tituj librash. Përveç kësaj, njihet edhe për hulumtime të shumta shkencore mbi muzikën folklorike dhe mbi folkloristikën shqiptare në përgjithësi. Këtë e ka dëshmuar në të kaluarën me botimin e shumë librave. Libri “RAPSODËT E TROJEVE SHQIPTARE”, i nxjerrë nga “Kufijtë lokalë e krahinorë”, e bën atë një studiues dhe krijues mbarëkombëtar të veçantë.
Shprehja: “Nëse në letërsi nuk hyn edhe jeta jote, atëherë ti nuk di ç’të shkruash”, thuhet se është një e vërtetë e padiskutueshme dhe këtë sikur e ka kuptuar fort mirë edhe këngëtari, krijuesi dhe veprimtari i përkushtuar i çështjes kombëtare, Shaban Baksi. Përvoja e tij e gjatë në dritaren e reflektimit të këngës folklorike dhe asaj popullore, ka rezultuar mrekullueshëm. Këto përmbledhje biografish të rapsodëve dhe të këngëtarëve të melosit popullor nga të gjitha trojet shqiptare, arriti t’i organizojë e t’i publikojë suksesshëm në materie të gjerë e shumëdimensionale, duke i futur nën titullin karakteristik, përmbledhës e mjaft domethënës. Në 14 tituj librash për folklorin dhe për rapsodët, ka bërë një trajtim të lirë të mënyrës që çon në krijimin e vlerave autoktone, të pashlyeshme, të bukura e shpirtërore.
Me anë të botimeve unikale, rapsodëve shqiptarë të lënë shpesh në “harresë”, si në të kaluarën, po ashtu edhe në ditët e sotme, autori synon t’ua kthejë atyre vendin më meritor në shoqërinë dhe në kulturën shqiptare, pasi, sipas tij, ata paraqesin zërin, dhimbjen, brengën, gëzimin, pikëllimin dhe krenarinë e popullit. Këngëtari, poeti, shkrimtari, kompozitori, Shaban Baksi, thuri vargje këngësh edhe për trojet etnike shqiptare të Sanxhakut të Nishit, për 743 fshatra shqiptare, që Serbia i dëboi me dhunë nga trojet e veta, e që i titulloi: “M’dridhet zani n’çifteli”, për muhaxhirët shqiptarë.
Në botimin e radhës, me titullin: “Historiku tragjik i Radiotelevizionit të Prishtinës”, nëpërmes dokumenteve dhe fakteve të shumta, pasqyron aktin e dhunshëm të ndërprerjes së punës së këtij mediumi në vitin 1990, si dhe vazhdimin e historisë së tij pas përfundimit të luftës, pasqyrim real i një episodi tragjik.
Dikur ishte redaktor i muzikës dhe realizues i shumë emisioneve folklorike e popullore. Është dhe mbetet këngëtar popullor, poet, krijues dhe kompozitor popullor. Sa u përket publikimeve, ka dhjetëra albume të incizuara dhe emisione muzikore të panumërta. Punon autor emisioni në radiostacionin rajonal, 92.1 Capital FM. Këtu, në këto valë, realizon emisionin e përjavshëm, “Folklori i trojeve shqiptare”.
Jeton në Prishtinë, me bashkëshorten, me dy djemtë dhe me dy vajzat, me mbesat e me nipat. Pasardhës i këngës së Shaban Baksit, është i biri, Beni Baksi.
Rapsodit popullor, për kontributin që dha e vazhdon ta japë edhe sot, i kanë kushtuar e po i kushtojnë këngë edhe rapsodët e tjerë të njohur që vijnë pas tij e që ndjekin me admirim muzikën që sjell ndër vite. Njërën prej këtyre këngëve, mund ta shikoni më poshtë. /CFM/