Presidentja Osmani: Dhuna fizike në Kuvend, dëmi më i madh që mund t’u bëhet institucioneve të ndërtuara me sakrificë
Written by Mentor Hajrizi on 13 Korrik, 2023
Pas përdorimit të dhunës në Kuvend, raporton Capital FM, ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani.
Ajo tha se përdorimi i dhunës fizike është dëmi më i madh që mund t’u bëhet institucioneve tona.
Reagimi i plotë i Presidentes:
Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’u bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë.
Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik.
Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit.
/CFM/