Të shtunën maturantët do t’i nënshtrohen Provimit të Maturës, këto janë rregullat!
Written by Mentor Hajrizi on 20 Qershor, 2023
Maturantët nga Kosova të shtunën, më 24 qershor, do t’i nënshtrohen Provimit të Maturës Shtetërore (PMSh).
Njoftimin për mbajtjen e provimit e ka bërë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, e cila gjithashtu ka bërë të qarta edhe rregullat të cilat duhet të respektohen nga maturantët.
Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet e përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, prandaj kërkon që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI. Ndërsa, ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi. Bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit. Kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit.
Sipas Ministrisë së Arsimit, testi do të organizohet në 178 qendra të testimit. Këtë vit, në sallën e testimit (klasat) përveç administruesve, siç thonë zyrtarët nga MA-ja, do të jetë edhe një mbikëqyrës (student absolvent ose i nivelit master).
Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi), siç shprehen ata, nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet, theksojnë zyrtarët nga MA-ja, mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës.
Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore do të shpallen më 3 korrik 2023./Capital FM/