Thirrja e Ministrisë së Jashtme, për qytetarët: Mos kaloni nëpër Serbi!
Shkruar nga Mentor Hajrizi më 19 Qershor, 2023
Shefi i stafit në kabinetin e ministres së Jashtme Donika Gërvalla, ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për të gjithë qytetarët që kanë marrë rrugën drejt Kosovës.
Për shkak të protestave që po mbahen, sipas shefit të stafit, Sharr Jakupi, në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdare, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe i kamionëve që vijnë nga Kosova. Sipas Jakupit, nuk është i sigurt as kalimi i veturave.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i përdorin pikat kufitare apo disa nga rrugët alternative.
Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit. Nëse nuk keni hyrë tashmë në Serbi, ju lutemi, mos udhëtoni përmes Serbisë. Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutemi të ndiqni njoftimet nga Policia e Kosovës rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim.
Gjatë orëve të mbrëmjes gazetarët e portaleve raportuan se disa vozitës serbë të kamionëve, në shenjë pakënaqësie ndaj zhvillimeve të fundit, kishin bllokuar rrugën magjistrale në pjesën e Serbisë. Sipas raportimeve, ata nuk po i linin kamionët me targa të Kosovës të shkojnë tutje për në Serbi. /Capital FM/