Sveçla:Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund
Written by Luljeta Krasniqi on 22 Shtator, 2023
Hedhjen e granatës së dorës në veri të Mitrovicës në orët e mesnatës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka ndërlidhur me arrestimin e tre qytetarëve serbë të dyshuar për krime lufte.
“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë. Nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës. Në shenjë revolte ndaj arrestimit të këtyre personave, si mesazh ndaj drejtësisë sonë dhe me qëllim të shkaktimit të terrorit tek qytetarët tanë, grupe kriminale mbrëmë kanë hedhur granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve”, ka theksuar Sveçla.
Tutje ai ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se është inspirues, mbështetës dhe urdhërdhënës për këtë akt kriminal.
“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Serbia me në krye Vuçiqin, jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës. Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së granatës”, ka shtuar ai.
Ministri Sveçla, po ashtu, ka potencuar se Kosova do të të jetë shtet i së drejtës, i qytetarëve të barabartë ku barazia dhe prosperiteti do të garantohen për të gjithë”, përcjell /CFM/.