N'sfond

Title

Artist


Abdixhiku: Profesor Shyqri Nimani, një njeri i madh!

Shkruar nga më 22 Qershor, 2023

Ka vdekur sot profesori Shyqri Nimani. Në nderim të jetës dhe të veprës së tij, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, ka shkoqitur pjesë nga jeta e profesorit në një kujtim personal.

Shkrimi i plotë i Abdixhikut:

Një kujtim personal për një njeri të madh

Profesor Shyqri Nimani na la sot. Atë pata nderin ta vizitoj këtë vit, në përvjetorin e pavarësisë. Paska qenë viti i fundit i tij. Paska qenë takimi i fundit ky. Sa pak dimë.

E pimë kafen e pasdites bashkë. Më foli shkurt për 16 orët e dedikuara në shkrimin e Deklaratës së Pavarësisë. Më foli gjatë për jetën, të bukurën, të ligën, të shkuarën e të ardhmen. Më foli me plot pasion për antikën, artin e dizajnin. Me një shije humori të hollë, me një sjellje prej zotërie të rëndë, mes përvojës të pafundme e mendjehapjes së kohës, dukej se ishim moshatarë; veçse ai ishte një mësues me një jetë të tërë pas.

Folëm gjatë, teksa mes shkrimit më të bukur që kisha parë ndonjëherë, mora si dhuratë të fundit librat e tij. Ju ktheva sot atyre sërish. Më përcolli deri jashtë; s’futej brenda në banesë derisa s’u pamë. Ishte shkurt; muaji shkurt, por ishte ngrohtë. Ai e bënte secilin rreth tij të ndihej mirë me aq shumë ngrohtësi.

Sot, ikja e tij na lë me trishtim; por përtej trishtimit një jetë e tërë kontribut e suksesi na shpërfaqet me emrin e tij. Pusho në paqe profesor. Të faleminderit për gjurmët e lëna në këtë kohë.

Zonjës Samile, Adrianës, Norës, Albanit dhe Agonit ngushëllime për humbjen e madhe. Kosova humbi një njeri të madh. Të mburreni për bashkëshortin e babën që keni pasur.

Shyqri Nimani ka qenë akademik dhe shkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. /CFM/


Mendimet e lexuesve

Përgjigje

Email adresa nuk publikohet. Hapsirat e domosdoshme *