Mentor Hajrizi – DHIMBË (1)
Shkruar nga Mentor Hajrizi më 17 Gusht, 2023
I.
Një dritë vezulluese,
e dalë nga ninëza e syrit,
porsi shigjetë,
i shkapërderdhet,
cep më cep, zemrës bujare.
II.
As lapsi i dashurisë,
s’mjafton,
nganjëherë,
për ta thurur gardhin e jetës,
që shpesh, sfilitës,
të sjellë të papritura.
III.
E bën më të shkurtër,
për t’u shijuar edhe më,
për ta braktisur urrejtjen,
për ta shtuar dashurinë e çiltër,
rrugën e gjatë.
IV.
Nuk është gabim të falësh,
gabim është të mos falësh,
të mos i japësh shans,
të mos i qëndrosh pranë,
të mos e çosh në vendin kyç,
në shlyerjen e njollave të zeza.
V.
Pritja më malloi,
ma lodhi ca mendjen,
më syrgjynosi pa të drejtë,
në një hendek të thellë iluzionesh.
Dromca vargjesh nga libri i Mentor Hajrizit, “Thermë e shpirtit të ndezur” (Pjesa I, Prishtinë, 2022).